Tomasz Tokarski, biznesmeni që mashtroi Ministrinë e Tregtisë për vajin dhe sheqerin e Rezervave Shtetërore, ka vdekur në shtator të vitit 2023, një muaj pasi është paditur nga Avokatura Shtetërore për të njëjtin rast, ka zbuluar dëshmia e Nezir Idrizit, ish-ortakut të tij biznesor. Idrizi ka dëshmuar për përfshirjen e thellë të Ridvan Muharremit në një kontratë të klasifikuar paligjshëm si sekret shtetëror.
Nezir Idrizi është një nga dëshmitarët kyç të Prokurorisë Speciale në rastin e Rezervave Shtetërore.
Ai është ndërmjetësi kryesor mes sekserit të ministres Rozeta Hajdari për kontratat e Rezervave Shtetërore, Ridvan Muharremi dhe biznesmenit polak Tomasz Tokarski.
Tokarski u kontraktua nga shteti për furnizimin me vaj dhe sheqer të rezervave shtetërore, por pavarësisht se u pagua 100% për këtë shërbim nuk përmbushi asnjëherë detyrimet kontraktuale. 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer nuk erdhën kurrë në Kosovë.
Polaku përfitoi 276 mijë euro nga shteti. Për këtë zhvatje, Prokuroria Speciale e akuzon ministren në detyrë të Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe tre të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Nezir Idrizi është një ish-bashkëpunëtor i Tokarskit. Ata kishin hyrë zyrtarisht në ortakëri me njëri-tjetrin në vitin 2021, kur kishin hapur në Kosovë një biznes që do të merrej me kultivimin e një bime farmaceutike. Biznesi ishte regjistruar nën emrin ‘Xanto Clinic’ L.L.C.. Idrizi zotëronte 40% të aksioneve, ndërsa Tokarski pjesën tjetër.
Për aktivitetet biznesore, atyre iu duhej një zyrë në Prishtinë, të cilën do të provonin ta gjenin në një nga pronat e Ridvan Muharremit, të akuzuarit nga Prokuroria Speciale për aferën e Rezervave Shtetërore.
“Dëshmitari [Nezir Idrizi, v.j] thekson se pas kësaj ide të Tomasit, vet dëshmitari i kishte kërkuar Ridvan Muharemit një objekt me qira për ta hapur një zyre në bashkupunim me Tomasin. Në vazhdim dëshmitari thekson se me Ridvan Muharemin ishin njohur rastësisht kur kishte qenë në lokalin e tij ‘Bukë e Zemër’, kohë më parë, para se të kontaktonin edhe me Tomasin”, ka dëshmuar Nezir Idrizi në Prokurori.
Në dëshminë e dhënë prokurorëve specialë Valdet Gashi e Milot Krasniqi, Nezir Idrizi ka dëshmuar se disa kohë pasi kishin negociuar për marrjen me qera të një lokali në pronësi të Ridvan Muharremit, pronari i restorantit ‘Bukë e Zemër’ e kishte telefonuar atë. I kishte kërkuar ta vendoste në kontakt me Tokarskin “për një ofertë pune”.
Oferta e punës ndërlidhej me furnizimin e Rezervave Shtetërore me vaj dhe sheqer.
“Pas bisedës që kemi pasur lidhur me mundësinë e marrjes me qira të lokalit, pas disa muajve Ridvani më ka thirr në telefon dhe më tha se, a ke ende kontakt me polakët, sepse jam i interesuar për produkte të vajit dhe sheqerit, sepse e kam një ofertë pune, ndërsa unë pastaj e kam takuar Ridvanin dhe ia kam dhënë vizitkartën e Tomas Tokarskit dhe gjatë këtij takimi me Ridvanin ne kemi diskutuar rreth vajit dhe sheqerit dhe mundësit e angazhimit të Tomasit për ta bërë ketë furnizim”, ka rrëfyer Nezir Idrizi.
Në Prokurori, Idrizi ka pretenduar se asnjëherë nuk është përfshirë në negociatat për kontratën e Tokarskit me Ministrisë së Tregtisë për vajin dhe sheqerin.
Negociatat për blerjen e vajit dhe sheqerit ishin zhvilluar në mes të ortakut të tij biznesor nga Polonia dhe Ridvan Muharemit, sipas dëshmisë së Idrizit.
Roli i tij ka qenë vetëm “përkthimi atëherë kur më kërkohej nga Tomasi”, ka pretenduar ai.
