Humbja e tre vëllezërve në betejën në Doganaj të Kaçanikut nuk ishte e lehtë për Zaim Zenunin (Salijaj), i mbijetuar i kësaj masakre i 13 prillit 1999. Përmes një rrëfimi ai riktheu kujtimet e luftës, duke treguar se si në moshë shumë të re përjetoi humbje të rënda familjare.
Ai si veteran i luftës në Kosovë kujtoi fillimet e angazhimit të tij në luftë menjëherë pas përfundimit të shkollimit të mesëm.
“Në atë kohë kam qenë 18 vjeç e gjysmë edhe kam përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë, domethënë më 13 korrik, ndërsa me 17 korrik kam qenë në Tropojë, Shqipërisë, jam furnizu me armatim, i kam bë ushtrimet fillestare që u desh me i bë edhe me 27 gusht kam hy në territorin e Kosovës, fillimisht kemi hy në Kabash të Prizrenit. Pastaj kam marrë pjesë nëpër ofensivat me grupin e Kaçanikut, kemi qenë një grup prej 46 ushtarëve. Kemi marrë pjesë nëpër luftat në Gllogjan, Suharek, përfundimisht në Jezerc kemi ardhë, me 1 shtator kemi përfundu ofensivën e Jezercit ’98-tën. Pastaj kemi fillu aktivitetin këtë pjesë me i shtri UÇK-në në pjesën e Kaçanikut”, u shpreh ai.
Në rrëfimin e tij, ai u ndal edhe tek historia e familjes, duke kujtuar vëllezërit e vrarë dhe kontributin e tyre gjatë luftës, përfshirë furnizimin e ushtrisë me bukë dhe angazhimin në shërbimet mjekësore.
Po ashtu, ai përmendi edhe përndjekjet e vazhdueshme nga regjimi serb ndër vite, përfshirë arrestimet dhe maltretimet e familjarëve.
“Ne si familje jemi maltretuar tri herë nga regjimi serb. Në ’91-tën si familje, njerëz mbas njerëzve, i kanë marrë tre vëllezërit, edhe prindin. Pastaj në ’94-tën të njëjtin rast, domethënë i kanë marrë dy vëllezërit edhe babën. Edhe në ’98-tën i kanë marrë tre vëllezërit në Stacion të policisë në Ferizaj, i kanë maltretuar edhe punëtorët që kanë punuar në fabrikën, në furrën e bukës që kemi pasur aty”, kujtoi Zenuni.
I pyetur se si e kishte marrë lajmin për vrasjen e vëllezërve, Sabri Salijaj, Kemajl Salijaj dhe Izahir Salijaj, ai tregoi se kishte qenë në vijën e frontit dhe informacioni i kishte ardhur gradualisht nga bashkëluftëtarët.
“Unë kam qenë në ushtri edhe më 13 prill e kam pa që ka pasur luftime të mëdha, po unë jam kanë i angazhum në pjesën anena. Edhe në momentin e kah fundi i ditës erdhi nji bashkëluftëtari im, Musa Zenuni që e respektoj shumë, edhe ma bën tha Zaim tha duhet me dalë na tha me kqyr se ka pas luftime në këtë pjesën knejna tha mu interesu për familjarët e tu se atëherë s’ka pasë komunikim mjaftueshëm. Edhe dolëm, gjatë rrugëtimit për me ardhë në këtë pjesë gjatë rrugëtimit nji djalë, edhe ai po thotë, ai nuk po m’njef mu, po i thotë Musës, Zenunit tha a e ke njoftu Zaimin që t’i kanë u rra vllaznia? Edhe Musai m’tha që Zaim tha vetëm nji vlla t’u ka vra fillimisht. Gjatë rrugëtimit tana m’tha po m’vjen keq tha t’i kanë vra dy vllazni, po para se me ardhë këtu m’thanë që bano i fortë se t’i kanë vra tre vllazni. Tashti në atë moment e niva veten të t’lodht shpirtnisht po apet e di që lufta pa gjak nuk fitohet”, kujtoi ai.
