Pesë nga shtatë dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes janë pranuar me shkrimë deri më tani në rastin kundër administrimit të drejtësisë me të akuzuar Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Vlen të theksohet se mbrojtja ka kërkuar që të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të tyre të pranohen me shkrim me arsyetimin që sipas tyre nuk është e nevojshme që ata të dëgjohen gjatë seancave gjyqësore.
Kërkesa është miratuar për vetëm pesë nga shtatë dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja dhe si rezultat janë anuluar seancat e parapara për 24 dhe 28 prill 2026.
Ndërsa, vendimi në lidhje me dy dëshmitarët e mbetur të mbrojtjes nuk është marrë ende.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), nisi dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse. Dëshmia e tij përfundoi më 2 mars 2026.
Më 3 dhe 4 mars 2026 dëshmoi dëshmitari i dytë Koen Herlaar- ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Po më 4 mars nisi dëshminë dëshmitari i tretë, Chrisopher Kelly- hetues i forenzikës digjitale. Ky dëshmitar e përfundoi dëshminë më 5 mars.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
