Demë Ali Pozhari, veprimtar i shquar i kauzës kombëtare, tërë jetën punoi dhe luftoi për bashkim kombëtar. Ishte njëri prej komandantëve kryesorë që organizoi mbrojtjen e Plavës, Gucisë dhe trojeve shqiptare në Mal të Zi nga sulmet shfarosëse të Serbisë dhe Malit të Zi. Ishte pjesëtar i një familjeje fisnike që dha shumë dëshmorë dhe luftëtarë të lirisë, me theks të veçantë nga Lidhja e Prizrenit 1878 deri në luftën e fundit, 1999.
Po ashtu, edhe Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, që të dy nga Lluka e Epërme e Deçanit, vendi ku u mbajtën Kuvendet historike të pajtimeve kombëtare, tërë jetën i qëndruan besnikë vendlindjes, familjes, idealeve të veta e të mbarë popullit shqiptar. Ishin luftëtarë të dalluar për bashkim kombëtar dhe çlirim nga okupimi serb. Pjesëmarrës në shumë luftëra e beteja për liri dhe pavarësimin e vendit nga pushtuesit serbo-malazezë.
Vepruan nën platformën e Ballit Kombëtar të udhëhequr nga Mit’hat Frashëri dhe Demë Ali Pozhari. Ishin pjesëmarrës në luftërat për mbrojtjen e Plavës, Gucisë, Sanxhakut dhe tokave shqiptare në Mal të Zi, por ishin pjesëmarrës edhe në luftëra të tjera për mbrojtjen e tokave shqiptare në tërësi.
Dervish Shaqa, bashkë me Shaban Brahën, Shaban Zenelin nga Skivjani i Gjakovës, Abdullah Salihun e Junikut, Sali Shatrin e Tomocit, Ajet Haxhiun, Zymer Dulën, Qerim Ukën e shumë të tjerë, ishin organizatorë të Lëvizjes për Shpëtim Kombëtar, e cila operonte përmes grupeve diverzive në Kosovë dhe trojet shqiptare që kishin mbetur padrejtësisht jashtë trungut amë.
