Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar një ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për takim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kërkon që çdo ftesë të konkretizohet në formë zyrtare dhe më pas të trajtohet në organet e partisë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim për EO, tha se partia e saj ka marrë pjesë në të gjitha takimet deri më tani me qëllim që të dëshmojë vullnet politik dhe të mos jetë bllokuese në proces.
“ Fakti që Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë e të gjitha takimeve deri tani me të gjitha partitë politike, në këtë rast edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, pikërisht për të bërë përpjekjet tona për të dëshmuar vullnetin tonë politik që të mos jemi bllokues në situatën kur vendi do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të reja. Prandaj duke e parë që këto takime nuk kanë pasur ndonjë efekt edhe që tashmë kemi një cikël të ri të takimeve të ftuara nga zoti Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi kërkuar që ta konkretizojë ftesën dhe ne pastaj ta trajtojmë këtë ftesë në organet e partisë, në Këshillin Drejtues që është institucioni më i lartë brenda partisë dhe në Kryesinë e partisë për të marrë dhe qëndrimin përfundimtar lidhur me këtë çështje. Në të kundërtën, po e them këto takime të cilat nuk prodhojnë asgjë, është vështirë të thuhet që do të kenë efektin e tyre pa u konkretizuar tashmë sepse nuk po ndodhin për herë të parë ”, tha ajo.
Deliu-Kodra theksoi se, sipas informatave që ajo ka, nuk ekziston ndonjë ftesë e re nga VV-ja, duke përsëritur qëndrimin se pa një ftesë të qartë dhe zyrtare, nuk mund të ketë përgjigje institucionale nga PDK.
“ Jo, nuk po e them nuk kemi pranuar, aq sa unë kam informata nuk ka ndonjë ftesë të re dhe qëndrimin edhe për ftesën e kemi sqaruar tash e sa kohë që pa një konkretizim të qartë të ftesës e cila duhet të vijë në letër zyrtarisht, të trajtohet institucionalisht ashtu siç e meriton të kemi përgjigje institucionale si subjekt politik, unë jam e bindur që takimet të cilat kanë ndodhur tash e sa kohë nuk është që kanë prodhuar diçka. Në të kundërtën Kosova sot, po të kishte vullnet politik të zotit Kurti, Kosova do ta kishte presidentin ose presidenten e saj ”, tha ajo.
