Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka komentuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur në emisionin “Weekend”, ajo tha se vendimi ka shkaktuar zhgënjim dhe mërzitje te shqiptarët, duke theksuar se ai ka prekur ndjeshëm ndjenjat e tyre.
“Mendoj që të gjithë shqiptarët ndihen të lënduar, të mërzitur. Ky aktgjykim, që i ka dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 81 vjet burgim, ka prekur sentimentin, zemrën dhe ndjeshmërinë e secilit shqiptar, kudo që jeton”, tha ajo.
Deliu u shpreh se në Kosovë po ndihet pesha e këtij vendimi, por shtoi se ai nuk do ta ndalë angazhimin e tyre.
“Ne po e ndjejmë edhe peshën e rëndë të këtij vendimi. Aktgjykimi nuk do të na ndalë. Jemi më të përkushtuar se kurrë të angazhohemi”, deklaroi deputetja e PDK-së.




