Një tren mallrash doli nga shinat të shtunën pranë stacionit hekurudhor Meja, në Kroaci, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun përfundimtar të ngjarjes.
Treni i kompanisë private Transagent po transportonte drithëra në drejtim të Rekës, kur rreth orës 9:25 ndodhi aksidenti. Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i trenit kishte njoftuar dispeçerin se frenat ishin jashtë funksionit dhe se nuk po arrinte ta ndalte trenin.
Si pasojë, 11 vagonë dolën nga shinat dhe përfunduan në një humnerë, ndërsa lokomotiva dhe dy vagonë të tjerë mbetën në stacionin hekurudhor.
Aksidenti shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit hekurudhor në këtë pjesë të linjës. Për udhëtarët është organizuar transport zëvendësues me autobusë, ndërsa trenat vazhdojnë të qarkullojnë normalisht në pjesët e tjera të linjës.
Kryetari i bordit drejtues të kompanisë HŽ Infrastruktura, Damir Lonçariq, deklaroi se ende nuk dihet se kur do të rifillojë qarkullimi normal. Ai u bëri thirrje operatorëve hekurudhorë që të kontrollojnë më me kujdes gjendjen teknike të lokomotivave dhe vagonëve, veçanërisht atyre në pronësi të kompanive private.

