Adem Lushaj, drejtor I Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçani ka reagur pas deklarimeve lidhur me çështjen e transferimit të 24 hektarëve tokë për Manastiri i Deçanit.
“Nëse kjo deklaratë është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një veprim të papranueshëm politik, i cili bie ndesh me qëndrimet dhe përpjekjet shumëvjeçare të qytetarëve dhe institucioneve të komunës së Deçanit për mbrojtjen e pronës shoqërore dhe të interesit publik.”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Reagim i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur të Deçanit
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur të Deçanit shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të thellë ndaj deklaratës së ministrit Nenad Rashiq, i cili ka pohuar publikisht se kryeministri Albin Kurti, për hatër të tij, ka bartur pronat e dy ndërmarrjeve publike në Deçan në emër të Manastirit të Deçanit.
Nëse kjo deklaratë është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një veprim të papranueshëm politik, i cili bie ndesh me qëndrimet dhe përpjekjet shumëvjeçare të qytetarëve dhe institucioneve të komunës së Deçanit për mbrojtjen e pronës shoqërore dhe të interesit publik.
Dihet se rreth 24 hektarë tokë, që dikur ishin pronë e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, u falën fillimisht nga regjimi i Slobodan Millosheviçit në vitin 1997. Më pas kjo çështje u pasua me veprime të administratës së UNMIK-ut në vitin 2009, si dhe me procese të gjata gjyqësore.
Në vitin 2012, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës e konsideroi të ligjshme marrëveshjen e arritur ndërmjet përfaqësuesve të Manastirit të Deçanit dhe përfaqësuesve të UNMIK-ut, ndërsa në vitin 2016 këtë vendim e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, këto vendime nuk u pranuan nga qytetarët e Deçanit. Subjektet politike dhe jopolitike të komunës reaguan fuqishëm dhe organizuan protesta qytetare në mbrojtje të pronave të ndërmarrjeve shoqërore. Në këto protesta kishte marrë pjesë edhe vetë Albin Kurti në kohën kur ishte në opozitë, duke kundërshtuar hapur këtë vendim.
