Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pas mesnate në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Korroticë të Drenasit, ku një person ka humbur jetën.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 27 gusht rreth orës 02:10, kur një automjet ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe është rrokullisur në shiritin e majtë të rrugës. Si pasojë, shoferi ka mbetur i lënduar rëndë dhe është transportuar menjëherë nga ekipi emergjent në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, por mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij pak pas orës 03:00.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore, hetuesit dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion. Hetimet mbi shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.