Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjakovës, Ervin Shabani, ka deklaruar se programi i këtij subjekti politik për zgjedhjet e 12 tetorit është një program gjithëpërfshirës, që synon t’i adresojë nevojat e të gjitha shtresave të qytetarëve të qytetit.
Shabani ka theksuar se programi i PDK-së përfshin fusha të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia, kultura, sporti dhe të gjitha sektorët tjerë jetikë për zhvillimin e komunës.
Në fushën e arsimit, Shabani ka premtuar fillimin e mësimit tërëditor, si një zgjidhje për numrin e vogël të nxënësve dhe për eliminimin e klasave të kombinuara.
“Në arsim e kemi programin për zhvillimin e mësimit tërëditor. Ky hap do të ndërmerret nga komuna për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe për ta zgjidhur problemin me klasat e kombinuara që i kemi në komunën e Gjakovës”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Në shëndetësi, ai ka premtuar zgjerimin e punës 24-orëshe edhe për dy Qendra të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
