Aktakuza për sulmin në familjen Jashari, për masakrën e Reçakut, rasti Banjska, rezervat shtetërore, janë disa nga rastet që Blerim Isufaj i ka konsideruar si sukses, e i ka përfshirë në ankesën e tij që e ka drejtuar në Gjykatën Supreme, për shkarkimin e tij nga pozita e Kryeprokurorit. Dukagjini ka siguruar këtë ankesë që është qindra faqe, e që kërkon anulimin e vendimit të KPK-së.
Blerim Isufaj, i shkarkuar nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, ka hedhur dyshime se vendimi për shkarkimin e tij ishte i përgatitur para se të votohej në KPK.
Në ankesën drejtuar në Gjykatën Supreme, e të cilën e ka siguruar televizioni Dukagjini, Isufaj kërkon që ky vendim të hidhet poshtë e të kthehet sërish në pozitën e udhëheqësit të kësaj Prokurorie.
“Arsyetimi i një vendimi kolegjial duhet të jetë pasqyrë e diskutimit dhe bindjes që formohet në takim. Kur arsyetimi ekziston para votimit, diskutimi shndërrohet në ratifikim formal të një teksti të përgatitur, argumentet e anëtarëve që mund të kishin mendim tjetër nuk kanë asnjë mundësi të pasqyrohen dhe çdo argument i mundshëm i ankuesit është i pavlerë që në nisje.”
Në vendimin e KPK-së, për shkarkimin e tij thuhej se Isufaj kishte keqmenaxhuar me Prokurorinë e kishte pasur tendenca për ndikim në raste që ishin në hetim.
“Pohimi se ndarja manuale ka krijuar rrezik që kryeprokurori të “ndikojë drejtpërdrejt në drejtimin dhe rezultatin e hetimit” mbetet abstrakt. Vendimi nuk pretendon as nuk identifikon asnjë lëndë të vetme në të cilën ndarja manuale është përdorur për të ndikuar në hetim. Rreziku abstrakt nuk është sjellje e vërtetuar.”
