Hedhja ndaras në votim e kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet pakicë u bë shkas që më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendoste një masë të përkohshme, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime dhe të zhvillonin ndonjë procedurë për formimin e qeverisë së re të vendit për shkak të dyshimeve për shkelje kushtetuese.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese për veprimin e kreut të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili, më vonë, do ta shpallte organin ligjvënës të konstituuar, pavarësisht moszgjedhjes së nënkryetarit nga minoriteti serb.
Kushtetuesja tha se masën, që do të jetë në fuqi deri sa ajo të nxjerrë një aktgjykim, e vendosi në mënyrë ex officio, dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, duke e arsyetuar me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme”.
Si mund ta gjykojë Kushtetuesja çështjen?
Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja është mbështetur gjithmonë në praktikën e konstituimit të Kuvendit.
Ai parasheh se Gjykata do “të konstatojë se shkelja e vetme ka qenë ndarja e votimit të nënkryetarëve, pasi praktika e deritanishme kërkon zgjedhjen e tyre në pako”.
Çerkini nuk pret “që Gjykata të merret me çështje politike, siç është diskutimi se kush duhet të jetë nënkryetar nga komuniteti serb. Një gjë e tillë nuk është përgjegjësi e saj. Roli i Gjykatës është vetëm të garantojë respektimin e Kushtetutës dhe të procedurës”.
Vendim të ngjashëm pret edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Por, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritje të tjera.
“Ne presim që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, ngase Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të LVV-së dhënë REL-it.
