Vlora Çitaku, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, po tenton të ndërtojë një Republikë të tretë.
“Ajo çfarë po shohim është një përpjekje për të ndërtuar republikën e tretë, sepse demokracia nuk është sistemi i vetëm, fatkeqësisht ka edhe komunizëm, ka edhe diktaturë, ka edhe mbretëri. Çfarë po bën Lëvizja juaj është përpjekje për të delegjitimuar demokracinë dhe çdo institucion që buron prej saj,” tha ajo duke iu drejtuar deputetit të VV-së, Nezir Kraki.
Sipas saj, ky popull dhe kjo shoqëri ka kaluar teste shumë më të mëdha e më të rënda.
“Keni dalë partia e parë, por nuk jeni partia e vetme, nuk e keni shumicën dhe duhet të bëni kompromis. Kompromisi nuk është fjalë e ndytë, është instrument i domosdoshëm. Kosova është më e madhe se Albini, edhe se Albulena, edhe se unë, edhe secili prej nesh. Keni pasur mundësi, keni pas mundësi me bë zgjidhje, por nuk keni dashur. Nuk lëshohet pe me Kushtetutën”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se PDK ka qenë e qartë dhe nuk mund të votojnë me vetëdije të plotë për dikë që mbanë dy pozita.
