Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka vizituar ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Çitaku tha se Thaçin e pyeti për shokët dhe si gjithmonë, sipas saj, e njëjta histori “kokën lart, shpirtin e pathyer, sytë që nuk i shmangen askujt dhe asgjëje”.
“Për mua, kjo nuk është as habi e as surprizë. Sepse ata nuk janë të rëndomtë. Të rëndomtit nuk e kalojnë kufirin në këmbë me vetëm një çantë mbi supe dhe një ideal në zemër. Të rëndomtit nuk e nisin luftën kur e dinë se përballë kanë një makineri lufte shumëfish më të madhe. Të rëndomtit nuk ndërtojnë shtet nga hiçi, duke i dhënë popullit të vet lirinë dhe një të ardhme të sigurt”.
“Dhe jo, kjo nuk është punë fati. Fatin e tyre nuk ua dhuroi askush, ata e shkruan vetë, me zgjedhje të guximshme, të rënda si plumbi, por të drejta e të bardha si drita”.
“Edhe këtu, në Hagë, asnjëri prej tyre nuk sillet me mentalitetin e viktimës. Përkundrazi, qëndrojnë si burrat që janë: me vetëdije të pastër dhe krenarë, duke u përballur me sfidën e fundit po aq dinjitetshëm sa me betejat e para”, shkroi Çitaku.