Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi ish-kandidati për deputet i VV-së dhe njeriu i afërt me këtë parti, është emëruar në krye të Administratës Tatimore të Kosovës.

Çitaku ka thënë se një militant partiak është vendosur në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ajo ka ironizuar me shprehjen që dikur e përdorte vetë Kurti për të kritikuar këtë dukuri, duke thënë se “shokët dhe familjarët janë për dasma”.

“Albin Kurti e paska emëruar militantin partiak, ish-kandidatin për deputet Mentor Hyseni, drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme në vend. Ja pra, këta që nga opozita bënin betejë kundër nepotizmit e klientelizmit, dhe e kishin gojën plot meritokraci e parime, me të ardhur në pushtet u zhveshën nga çdo vlerë që predikonin. Ende besoj se e vetmja e mirë e Qeverisë Kurti 2 është demistifikimi i Albin Kurtit. Shokët e familjarët vetëm për dasma, apo?”, shkruan Çitaku.