Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se do ta rikthejë në agjendën shtetërore projektin amerikan për gazin natyror “sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë së vendit”.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, kandidatja për deputete, Vlora Çitaku, në një konferencë për media tha se debati për këtë nuk është teknik, po ka të bëjë me sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë. Në një botë ku siguria energjetike po bëhet po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, vendimet që marrim sot do të përcaktojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve tanë, por edhe pozitën e Kosovës në hartën gjeopolitike të dekadave që vijnë”, theksoi ajo.
Çitaku tha se rruga e Kosovës është krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që garanton partneritet, siguri dhe zhvillim.
“Dua të jem shumë e qartë: Partia Demokratike e Kosovës do ta rikthejë menjëherë këtë projekt në agjendën shtetërore sapo të marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë së vendit. Do të punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë rajonalë dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për ta lidhur Kosovën me rrjetin e gazit amerikan. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre. Kjo është rruga që ne zgjedhim. Rruga e partneritetit. Rruga e sigurisë. Rruga e zhvillimit. Rruga e Kosovës, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha më tej Çitaku.
Çitaku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje që “ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike, shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme”.
“Sot po e shohim rezultatin e kësaj politike. Kosova po paguan energjinë më shtrenjtë se kurrë më parë. Importet e energjisë po rriten nga viti në vit. Bizneset po dëmtohen. Familjet po përballen me fatura gjithnjë e më të larta dhe gjithnjë e më të papërballueshme. Ndërkohë, të gjitha vendet e rajonit po ndërtojnë lidhje të reja energjetike, po diversifikojnë furnizimin dhe po forcojnë sigurinë e tyre. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë. Vetëm Kosova vazhdon të refuzojë një mundësi që aleati ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur vazhdimisht”, tha ajo.
