Pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në Kosovë u rikthye në qendër të debatit ligji që rregullon punën e Dhomave të Specializuara.
Pas tri javë diskutimesh dhe protestash, Kuvendi, në seancën e së martës, me shumicë votash miratoi në lexim të dytë ndryshimet në këtë ligj.
Por, çfarë ndryshon konkretisht?
Dhomat e Specializuara nuk shfuqizohen. Por, me ndryshimet e miratuara preken disa prej elementeve kryesore të funksionimit të tyre, juridiksioni, periudha kohore, dënimet, vuajtja e dënimit dhe mënyra e trajtimit të rasteve që nuk do të përfshiheshin më në kompetencën e tyre.
Me ndryshimet e miratuara, synohet që juridiksioni i Speciales të lidhet më drejtpërdrejt me pretendimet specifike të raportit të Dick Martyt për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, akuza këto mbi të cilat u krijua gjykata, por nuk u përmendën më kurrë gjatë gjykimit.
Ndryshim pëson edhe periudha kohore.
Në vend të periudhës nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, ligji i ndryshuar përcakton periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000. Pra, periudha para 1 korrikut 1999 nuk do të përfshihej më në juridiksionin kohor të Dhomave të Specializuara.
Ndryshimet prekin edhe dënimet.
Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, ndërsa Veseli me 18 vjet. E me ligjin e ndryshuar neni 44 paragrafi 1 i ligjit nr;05/L-053, dënimi maksimal që mund të shqiptojnë Dhomat e Specializuara përcaktohet në 15 vjet burgim, e që automatikisht dënimi për ta do të ulej menjëherë.
Ndryshimet parashohin gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund ta vuajnë dënimin në institucionet korrektuese të Kosovës, pra nëse apeli vërteton dënimin, atëherë ata do të kthehen në Kosovë për pjesën e mbetur.




