Babai i Salih Mustafës ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2025. Por, para kësaj, Mustafa- i cili është dënuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kishte kërkuar lirimin e përkohshëm nga kjo gjykatë, por nuk iu aprovua.
Në parashtrimin e tij, të dorëzuar përmes mbrojtjes, Mustafa specifikoi se gjendja e babait tij ishte përkeqësuar deri në atë masë sa nuk mund t’i mbijetonte sëmundjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjendja shëndetësore e babait të Mustafës është jashtëzakonisht e rëndë dhe kritike. [REDAKTUAR]. Një raport mjekësor, së bashku me përkthimin e tij zyrtar, gjendet në Aneksin 1 të këtij dokumenti. [REDAKTUAR] e babait të Mustafës dhe po e monitoron gjendjen. Të gjitha perspektivat që babai i Mustafës të mbijetojë në këtë fazë janë shumë të zymta”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.
Mustafa kishte kërkuar që t’i mundesohej që ta vizitonte babanë e tij dhe siç kishte specifikuar mbrojtja e tij, se është e rëndësishme që të veprohet shpejt në mënyrë që klienti i tij të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të prindit të tij sa ende ai ishte gjallë.
“Mustafa kërkon të lirohet përkohësisht me qëllim që të vizitojë babain e tij [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Është e rëndësishme të veprohet shpejt në mënyrë që – në rast se babai ndërron jetë – Mustafa të ketë mundësinë të jetë pranë shtratit të babait të tij, sa ai është ende gjallë. Për arsye humanitare, mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Mustafës, dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes të dorëzuar më 21 dhjetor 2025.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur, më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vjet burgim.
Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vjetësh burgim për krime lufte.
