Një person mashkull me inicialet M.V., për të cilin Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se kishte marrë informacione se ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit, thuhet se punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar Jarinje, në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë konfirmoi nga disa burime se bëhet fjalë për Millan Vukashinoviqin nga Leposaviqi – një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Fillimisht, edhe avokati serb, Ivan Niniq, shkroi në rrjetin social X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë në një shkëmbim zjarri në fshatin Jellakcë pranë Leposaviqit dhe se mjekët po luftojnë për jetën e tij në Qendrën Klinike Universitare në Nish.
Ky fshat ndodhet në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës, pranë kufirit me Serbinë.
Niniq, avokat i familjes Vukashinoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se, sipas informatave dhe burimeve të tij, në këtë incident kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në uniforma kamuflazh, pa shenja identifikimi.
Ndërsa Kosova e akuzoi Serbinë për shkelje serioze të sigurisë së kufijve dhe paqes, Beogradi zyrtar nuk reagoi për këtë incident.
Për shkak të heshtjes së organeve serbe, avokati Niniq dyshon se plani ishte që rasti i Vukashinoviqit “të fshihej”.
Çfarë ndodhi më 1 nëntor?
Avokati Niniq thotë se të shtunën, më 1 nëntor, Dragana Vukashinoviq, nëna e Millan Vukashinoviqit, e kontaktoi atë, duke i kërkuar që ta përfaqësonte, sepse djali i saj kishte shkuar në pikën kufitare me Serbinë atë ditë, për të parë një mik nga Llukovska Banja në Serbi dhe nuk ishte kthyer në shtëpi.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin kalim alternativ me Serbinë – kalime zyrtarisht të paregjistruara midis Serbisë dhe Kosovës – në fshatin Jellackë.
Sipas Niniqit, Vukashinoviq më pas e ka kontaktuar nënën nga një autoambulancë, duke i thënë se ishte plagosur, por se nuk mund t’i tregonte asgjë më shumë.
Niniq thotë se të hënën, me miratimin e nënës së Vukashinoviqit, ai vendosi të fliste publikisht për këtë rast, sepse autoritetet serbe nuk kishin reaguar dhe se si avokat nuk kishte asnjë institucion me të cilin mund të komunikonte.
Ai shton se “përmes kanaleve dhe metodologjisë së tij të punës” ka përcaktuar se Millan Vukashinoviq është qëlluar me armë zjarri në zonën tokësore të sigurisë, por se nuk mund të specifikojë nëse në anën serbe apo të Kosovës.
“Mund të them vetëm se ai u transportua në spitalin në Prokuple, se në atë aksion morën pjesë tre xhipa pa targa, se më vonë u përcaktua se këto automjete – me shumë mundësi – i përkisnin Armatës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë, se automjeti i katërt kishte targa, se personat që morën pjesë në të gjithë aksionin, ishin me uniforma kamuflazh të zeza dhe jeshile të errëta, se nuk kishin shenja të ushtrisë ose xhandarmërisë dhe se kishin maska në kokë”, thotë Niniq.
Ai thekson se personat që përmend, janë vërejtur edhe nga qytetarët në Prokuple, si dhe nga punonjësit e spitalit të Prokuples, të cilët, sipas Niniqit, ishin të parët që e morën nën kujdes Vukashinoviqin.
Në çfarë gjendjeje është Vukashinoviq?
Avokati Niniq thotë se gjatë transportit drejt spitalit në Nish, Millan Vukashinoviq ka humbur shumë gjak, i është hequr një veshkë, i është nxjerrë gjak nga mushkëritë dhe i është hequr diafragma pulmonare.
Aktualisht, ai ndodhet në dhomën e kujdesit intensiv dhe ende nuk dihet nëse do të mbijetojë.
Nëna dhe motra e tij nuk lejohen ta vizitojnë fizikisht, por mund të marrin informacione përmes telefonit ose mjekëve në spital, sipas Niniqit.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi spitalin në Nish për këtë rast, por nuk mori përgjigje.
Niniq thotë se, si avokat i familjes Vukashinoviq, është i shqetësuar që autoritetet serbe nuk kanë dalë me asnjë reagim dhe se ende nuk e di nëse dyshohet për ndonjë vepër penale, nëse është lënë në paraburgim apo cila prokurori po e trajton rastin.
“Nuk dihet nëse është kryer ndonjë hetim në vendngjarje nga Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple, kush ka marrë pjesë në aksion, cili ka qenë qëllimi i aksionit, nëse aksioni është pasojë e ndonjë vendimi nga autoritetet shtetërore apo nëse kanë marrë pjesë palë të treta të paautorizuara… Ka shumë pyetje dhe ne do të këmbëngulim për përgjigje. Si avokat, nuk kam një institucion të cilit mund t’i drejtohem dhe më të cilin mund të komunikoj”, thotë Niniq për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Zyrën e Prokurorit të Lartë Publik në Prokuple dhe është në pritje të përgjigjes.
Niniq thotë se familja është e gatshme të padisë Republikën e Serbisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe të kërkojë përgjegjësi individuale.
Motivet e mundshme
Niniq thotë se ende nuk i di motivet për plagosjen e Vukashinoviqit.
Ai thotë se ka informacione se Vukashinoviq ishte në konflikt me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – sepse nuk donte t’u “bindej” politikave të tyre.
“Nuk mund të them se ky rast ka prapavijë politike, por mund të them se personi nga Llukovska Banja, me të cilin Millani kishte marrëdhënie miqësore dhe me të cilin ishte planifikuar të takohej, është pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë. Dyshoj se bëhet fjalë për një operacion shumë më të gjerë, në të cilin Millani është joshur”, thotë Niniq.
Lista Serbe nuk u deklarua për plagosjen e Vukashinoviqit.
Serbia, më herët, ka akuzuar pjesëtarë të komunitetit serb për spiunazh në dobi të organeve të sigurisë së Kosovës, ndërsa para organeve të drejtësisë në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese për dyshime për spiunazh në favor të Agjencisë Serbe të Inteligjencës.
Kush është Millan Vukashinoviq?
Millan Vukashinoviq ka punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit që nga viti 2011, konfirmon për Radion Evropa e Lirë ish-shefi i kësaj byroje, Rrahim Pacolli.
Avokati Niniq thotë, gjithashtu, se ka informacione se Vukashinoviq ka punuar në një kompani sigurimesh në një nga pikat kufitare të Kosovës me Serbinë.
Pacolli shton se Vukashinoviq ka pasur probleme edhe më parë, se ka vuajtur presion, por se nuk e ka lënë kurrë punën.
