Kryeministri kanadez Mark Carney ka deklaruar se vala e re e tarifave amerikane ndaj Kanadasë është një “llogaritje e gabuar”, e cila synon ta “lëndojë dhe përçajë” vendin, pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan të premten mbrëma.
“Ata kërkuan shumë dhe ofruan shumë pak”, tha Carney të shtunën, duke shtuar se ShBA-ja dhe Kanadaja tashmë ndodhen në një “luftë tregtare”. “Je në luftë kur sulmohesh. Ne u sulmuam”, u shpreh ai.
Carney konfirmoi se Kanadaja do t’u përgjigjet tarifave amerikane me masa të njëjta, “dollar për dollar”, duke nisur nga 8 shtatori. Masat do të përfshijnë edhe tarifa ndaj çelikut, produkteve të qumështit, pajisjeve elektroshtëpiake dhe produkteve elektronike.
Dështimi i negociatave ka tronditur marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, të cilat kanë ekonomi dhe tregti të ndërthurura ngushtë, ndërsa ende nuk ka një rrugë të qartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka reaguar ende për zhvillimet.
“Nuk mund ta pranojmë atë që kanë ofruar dhe nuk do t’ua japim atë që kanë kërkuar”, deklaroi Carney, shkruan BBC.
Vetëm pak ditë më parë, të dyja palët shfaqeshin optimiste për arritjen e një marrëveshjeje, por negociatat u përshkallëzuan pasi ShBA-ja dhe Kanadaja akuzuan njëra-tjetrën për ndryshime në momentet e fundit.

