Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa ka vlerësuar se Kuvendi nuk duhet ta rihapë në tërësi ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Cakolli në një intervistë për Ekonomia Online ka shpjeguar se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet të shqyrtojë arsyet e kthimit të ligjit dhe të vlerësojë se si do të procedohet tutje.
“Në radhë të parë, menjëherë pasi që presidentja e ka dërguar, pra shkresen përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, kjo nënkupton që tashmë çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe një shumice më të ndryshme sesa paraprakisht. Albulena Haxhiu në cilësinë e kryetares së Kuvendit është obliguar që, nëse nuk e ka bërë dot dje, gjatë ditës së sotme t’ja përcjellë këtë vendim në radhë të parë gjithë deputetëve dhe Komisionit për Përgjegjësi Parlamentare, që në rastin e tanishëm është Komisioni për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë vendimin e presidentës. Pra, në radhë të parë të shihet nëse presidentja ka përmendur nene specifike në kuadër të projektligjit, të cilat ajo i konsideron ose problematike, ose në dëm të interesave të Kosovës, apo nëse e konsideron që ndonjë prej fazave përkatëse që lidhet me procesin ligjvënës nuk është respektuar në bazë të Kushtetutës, obligimeve ndërkombëtare dhe të tjera”, tha ai.
Cakolli ka shpjeguar se pas shqyrtimit të vendimit të presidentes, Komisioni për Legjislacion duhet t’i paraqesë Kuvendit një raport brenda katër javësh, ku do të rekomandohet mënyra e procedimit të mëtejshëm të ligjit.
“Pastaj Komisioni për Legjislacion ka një afat kohor prej katër javësh, brenda së cilit është i obliguar që t’ia paraqesë Kuvendit për seancë një raport mbi të cilin vlerëson se si duhet proceduar tutje me projektligjin. Pra, ndonëse rregullorja e re nuk ka dispozita edhe aq të qarta siç ka pasur ajo paraprake për mundësinë e ndryshimit të ligjit, është e nënkuptueshme që Komisioni për Legjislacion mund të nxjerrë dy lloje të raportit praktikisht”, tha ai.
Sipas tij, njëra mundësi është që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ndërsa alternativa tjetër është që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse.
“E para është që të konstatohet që Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentës, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit, ose mund të rekomandojë përkatësisht të propozojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe që të njëjtat të inkorporohen në ligj”, tha Cakolli.
Ai ka shtuar se, në rast se vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes.
“Edhe pse rregullorja nuk e parasheh procedurën se si duhet të shkojë amandamentimi tutje i ligjit, unë besoj që kjo duhet të bëhet në përputhje me rregulloren sa i përket çështjeve të tjera që ndërlidhen me amandamentimin e ligjit, në mënyrë që kur ligji i ri t’i shkojë presidentës për shpallje, i njëjti të mos i ketë problematika që veçse supozohet që i njëjti mund t’i ketë”, tha ai.
Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke theksuar se duhet të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e PDK-së, e cila ishte sponsorizuese e nismës.
“Tash, sa i përket çështjes se çfarë mund të ndryshojë në ligj, unë besoj që në radhë të parë ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo çfarë ngjau atje. Në radhë të parë për shkak se presidenca deklaroi që ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë edhe sponsorizuese e ligjit njëkohësisht, dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent dhe me nguti të projektligjit, por kjo pastaj ngriti dilemën se a ka qenë ky vlerësim i presidentës në këtë rast mbi përmbajtjen e ligjit, apo vetëm kërkesë e një pale, sepse kjo i bie që, nëse PDK-ja nuk do ta kishte bërë kërkesën për ta tërhequr ligjin, presidenca do të mund ta kishte dekretuar atë sot në mesnatë ose i njëjti do të kishte hyrë në fuqi edhe pa dekret, që pastaj ngriti dilemën se a ka në të vërtetë presidenca probleme me përmbajtjen e ligjit, apo thjesht e ka noterizuar një kërkesë të sponsorizuesve të ligjit në këtë rast, që në të dy variantet është situatë problematike”, tha ai.




