Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se për herë të parë ka përfshirë arin në portofolin e aseteve zyrtare rezervë, duke e cilësuar këtë si një moment historik në zhvillimin e rezervave të shtetit.
Sipas komunikatës, ky vendim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të menaxhimit të rezervave.
“Ky zhvillim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe reflekton modernizimin e vazhdueshëm të kornizës së menaxhimit të rezervave të BQK-së”, thuhet në njoftim.
BQK thekson se përfshirja e arit rrit diversifikimin dhe qëndrueshmërinë e portofolit rezervë, duke e përafruar atë me praktikat ndërkombëtare të bankave qendrore.
Sipas institucionit, gjatë viteve të fundit është bërë reformim i gjerë i menaxhimit të aseteve dhe rrezikut, i mbështetur edhe nga partnerë ndërkombëtarë si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Thesari i SHBA-së.
“Gjatë viteve të fundit, BQK-ja ka ndërmarrë një transformim gjithëpërfshirës të praktikave të menaxhimit të aseteve, administrimit dhe menaxhimit të rrezikut”, thuhet në komunikatë.
