Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas BQK-së, me miratimin e këtyre ndryshimeve plotësohet një nga kushtet kryesore legjislative për avancimin e procesit, të cilin institucioni e ka nisur me paraaplikimin në vitin 2024.
Pas hyrjes së ligjit në fuqi, BQK-ja do të nxjerrë rregulloret përkatëse dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e bëra ndërkohë në legjislacionin evropian, në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian.
Pas përfundimit të këtyre hapave, aplikimi do të dorëzohet për shqyrtim, në përputhje me procedurat dhe afatet e institucioneve kompetente evropiane.



