Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, që po mbahen në Bangkok të Tajlandës.
Sipas njoftimit të BQK-së, takimi u fokusua në zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, zbatimin e reformave strategjike dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili theksoi stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar në Kosovë, duke vënë në pah se sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm.
Ai prezantoi gjithashtu progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024–2028 dhe rekomandimeve që dalin nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.
Vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në sektorin financiar, forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e krizave, si dhe përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale të BQK-së.




