Blerim Isufaj është ankuar në Gjykatën Supreme pas shkarkimit nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ankesa administrative është pranuar më 9 tetor dhe aktualisht është në shqyrtim.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Lutfiu.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa administrative është pranuar me datë 9.10.2026, mban numrin AA.nr.40/2026, dhe është në shqyrtim”, ka deklaruar Lutfiu për Express.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) vendosi më 2 tetor për shkarkimin e Isufajt, duke e arsyetuar vendimin me keqmenaxhimin e institucionit dhe dështimin në përmbushjen e detyrave të kryeprokurorit.
Një nga kritikat kryesore të KPK-së kishte të bënte me moszbatimin e sistemit të ndarjes elektronike dhe të rastësishme të lëndëve te prokurorët. Sipas Këshillit, kjo praktikë mund të krijonte mundësi për ndikim të drejtpërdrejtë në caktimin e prokurorëve që trajtojnë raste të caktuara.
Në arsyetimin e tij, KPK-ja kishte theksuar se ndarja elektronike dhe e rastësishme e lëndëve përbën një garanci institucionale për paanshmëri dhe transparencë, veçanërisht në Prokurorinë Speciale, e cila ka juridiksion mbi rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
“Ndarja elektronike dhe e rastësishme e lëndëve nuk është çështje teknike. Ajo është garanci institucionale që asnjë person, përfshirë vetë kryeprokurorin, të mos përcaktojë se cili prokuror do të veprojë në cilën lëndë”, thuhej në arsyetimin e KPK-së.
Sipas Këshillit, mbajtja e ndarjes së lëndëve nën kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, pa kritere objektive dhe pa arsyetim, cenon parimet e paanshmërisë, transparencës dhe integritetit institucional. KPK-ja e kishte lidhur këtë vlerësim edhe me detyrimet e përcaktuara në Ligjin për Prokurorin e Shtetit.