Stuhitë e fuqishme që kanë përfshirë vendin, e veçanërisht territorin e Komunës së Malishevës, kanë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës.
Përmes një njoftimi, Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë bëri të ditur se objekti i xhamisë ka pësuar dëmtime si pasojë e motit të lig, ndërsa theksoi se nuk ka pasur të lënduar.
“Si pasojë e motit dhe stuhive të fuqishme që kanë goditur vendin tonë, e në veçanti territorin e Komunës së Malishevës, janë shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e Xhamisë së Temeqinës”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Bashkësisë Islame shprehu keqardhje për dëmet e shkaktuara, duke falënderuar që ngjarja nuk pati pasoja për qytetarët.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë shpreh keqardhje për këto dëme dhe falënderon Zotin që, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga kushtet atmosferike, nuk pati pasoja në njerëz”, thuhet më tej.
