Puna dhe përpjekjet e viteve të fundit në sektorin shëndetësor, kanë ndikuar që interesimi i mjekëve për t’u larguar nga Kosova të jetë në rënie. Kështu vlerëson kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për Indeksonline, duke theksuar se trendi i emigrimit të mantelbardhëve po tregon shenja të qarta stabilizimi.
E gjithë kjo sipas tij tregon se janë bërë përpjekje reale, për të krijuar një perspektivë më të mirë për profesionistët shëndetësorë në Kosovë.
“Rënia e numrit të mjekëve që po ikin nga Kosova është e ndjeshme dhe kjo tregon se është bërë një investim dhe një përpjekje për të dhënë një dritë në fund të tunelit. Ky është sinjal i mirë që mjeku dhe punëtori shëndetësor në Kosovë e sheh perspektivën në të ardhmen. Kjo është e mjaftueshme që mjekët e rinj të mbesin në vend, sepse brenga më e madhe është largimi i tyre. Në këtë ndikojnë kushtet e punës dhe cilësia e specializimeve. Sepse kemi të bëjmë me një gjeneratë të re që është shumë kërkuese në kualitet ”, thotë Sejdiu..
Sejdiu ka paraqitur edhe statistika që tregojnë një rënie graduale të këtij fenomeni ndër vite. Në vitin 2023 nga Kosova janë larguar 167 mjekë, në vitin 2024 ky numër ka rënë në 111, ndërsa në vitin 2025 janë larguar 115 mjekë. Aktualisht, sipas tij, numri është rreth 95.
“Kjo kurbë në rënie tregon se po jepet një sinjal për perspektivë për mjekët në Kosovë. Për këtë mund t’i përgëzoj institucionet, që e ka marrë seriozisht këtë problematikë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se përveç pagave, një faktor shumë i rëndësishëm për mjekët janë kushtet e punës dhe siguria profesionale.
“Nëse kombinohen kushtet e punës me stabilitetin financiar, kjo tregon seriozitet dhe mjeku e sheh perspektivën e tij për të qëndruar në Kosovë”, tha Sejdiu.
E pas punës së madhe bërë ndër vite, Pleurat Sejdiu po synon dhe një mandat tjetër në krye të Odës së Mjekëve të Kosovës, duke theksuar se ka ende energji dhe vizion për të vazhduar punën e tij, në të mirë të shëndetësisë kosovare.
“Mendoj që kam ende energji dhe vizion për ngritjen e kapaciteteve të Odës dhe për ta ngritur atë në një nivel edhe më të dukshëm. Përkundër përpjekjeve të bëra gjatë këtyre viteve, ka ende punë që Oda të zërë vendin e saj në nivelin e organizatave koordinuese për ngritjen e kapaciteteve humane dhe për hartimin e politikave shëndetësore në Kosovë”, deklaroi ai.