Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e mbajtur para Kryeministrisë, i bëri thirrje qytetarëve që më 24 janar të bashkohen në një protestë të madhe, të cilën e cilësoi si një moment vendimtar për krijimin e një fronti të vërtetë opozitar.
Berisha u shpreh se viti 2026 do të jetë “viti i përmbysjes së diktaturave” dhe se populli shqiptar duhet të tregojë fuqinë e bashkimit dhe guximit për të sjellë ndryshimin.
Në fjalën e tij, ai tha se kreu i qeverisë po i poshtëron përditë shqiptarët duke u nxjerrë përpara zëvendës kryeministren e pandehur, Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si “maskën e tij”. Kryedemokrati u shpreh se mesazhi më 24 janar duhet të jetë i qartë: të heqë dorë nga grushti i shtetit, referuar mbrojtjes që po i bën Rama Ballukut.
“Të dashur miq, opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare. Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin e tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar,” tha Berisha.
Ai ftoi qytetarët të bisedojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht bindjeve politike, dhe të dalin nga konformizmi për të ndërtuar një front të gjerë opozitar.
