Ministrja e Migracionit e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt, ka bërë të ditur se qeveria belge po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për të rritur kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe ndërtimin ose marrjen me qira të hapësirave të burgimit në Kosovë dhe Shqipëri.
Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt konfirmoi se gjatë vizitave në Shqipëri dhe Kosovë janë zhvilluar bisedime konkrete me autoritetet përkatëse. “Ne po shikojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga mundësitë që po e shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, ministrja tha se qeveria e saj po shqyrton mundësinë e strehimit të personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgje, pavarësisht kombësisë së tyre.
