Begaj në pritjen zyrtare: Fatet tona u ndanë kundër dëshirës tonë, sot fati i Shqipërisë dhe i Kosovës është në duart tona .
113-vjetori i Pavarësisë bëri bashkë politikanë të Shqipërisë e Kosovës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të sistemit të drejtësisë, njerëz të medias e kulturës, në pritjen zyrtare të organizuar në Pallatin e Brigadave, organizuar nga kreu i shtetit, Bajram Begaj. Para të ftuarve, në mesin e të cilëve ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidenti Begaj e nisi me mesazhin për bashkim dhe forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan.
“Ky flamur nuk njeh ndarje, as interesa të ngushta, as kufij mes nesh. Ai njeh vetëm bashkimin dhe përgjegjësinë tonë për ta çuar përpara shtetin që trashëguam nga të parët. Fatet tona u ndanë kundër dëshirës tonë, sot fati i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar brenda e jashtë vendit të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara”. Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit tha se në 113 vite e pavarur, Shqipëria ka krijuar një imazh serioz në arenën ndërkombëtare, ndërsa theksoi rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Sot, 113 vjet më vonë, ne jemi sërish pranë një objektivi tjetër historik: anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. Kurrë më parë nuk kemi qenë kaq pranë. Familjes evropiane ne nuk i kërkojmë një vend, por duam të zëmë vendin që na takon. Anëtarësimi na kërkon institucione të forta, drejtësi të besueshme, ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe një administratë publike profesionale. Anëtarësimi është një provim që ne duhet ta kalojmë vetëm së bashku si shtet dhe si shoqëri”.
