Agim Veliu ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e 9 qershorit, shkruan DEMOS.
Veliu shtoi se “LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve.”
Shkrimi i tij:
Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
E ndjej obligim moral, njerëzor dhe politik t’ju falënderoj secilin prej jush për besimin, sakrificën dhe qëndrueshmërinë që i keni dhënë LDK-së ndër vite.
Kësaj radhe nuk dua të flas për rrugëtimin tonë të përbashkët politik për më shumë se tri dekada e gjysmë. As për sfidat dhe sukseset e mëdha të bastionit të pathyeshëm të LDK-së dhe rugovizmit në Llap, deri para pesë vitesh.
Nuk dua të flas kronologjikisht as për goditjet ndaj meje dhe vetë degës në Podujevë në vitet e fundit nga lidershipi aktual i LDK-së, që erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar.
Nuk dua t’ua sjell në kujtesë as papërgjegjësinë e lidershipit që prodhoi përçarje të madhe dhe polarizim të skajshëm të anëtarësisë. E, nuk po përmend as humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe rënien drastike të elektoratit në Llap e kudo në Kosovë.
Dua të ndalem te momentumi aktual partiak, që po promovohet si “Bashkimi i madh”, e që çuditërisht po përfshinë të gjithë ata që u anatemuan dhe eliminuan nga lidershipi aktual: pra të mënjanuarit, të diferencuarit dhe të padëshiruarit u bënë të dëshiruar.
Nuk di në cilën kategori të “Bashkimit të madh” bëj pjesë unë, por e di që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, publikisht pata shprehur vullnetin të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, me qëllim të mobilizimit dhe unifikimit të elektoratit. Por kryesia e Degës kishte refuzuar edhe ta nxjerrë në diskutim kandidaturën time, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” të mos jem pjesë e garës.
