Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia është duke i shkelur obligimet e saja nga procesi i normalizimit të raporteve me Kosovën dhe marrëveshjes nga dialogu, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Këtë e ka thënë një zëdhënës i BE-së, duke reaguar në njoftimet nga Serbia se ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, është lavdëruar se po vazhdon kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë dhe se, sipas këtij ministri, “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet pjesë e Interpolit”.
Daçiq po ashtu ka thënë se Kosova edhe më parë “ka dështuar keq kur ka provuar të bëhet anëtare e Interpolit” dhe se tash “e ka të qartë se nuk ka gjasa, prandaj as nuk po provon”.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mes tjerash, obligon Serbinë që të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. BE insiston se kjo marrëveshje është valide, se ajo duhet të implementohet pa vonesa, dhe se zbatimi i saj mbetet kusht për Kosovën dhe Serbinë, si për integrimin e tyre në BE, ashtu edhe për përfitime financiare nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Këtë, në përgjigjen e tij, e ka thënë për Kohën përsëri një zëdhënës i BE-së.
