Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim të thellë për krizën institucionale në vend, duke theksuar se vonesat në konstituimin e Kuvendit mund të pengojnë reformat dhe të rrezikojnë përfitimin e fondeve të BE-së.
“Nga perspektiva e BE-së, ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar nga kriza institucionale në përshkallëzim në Kosovë, veçanërisht nga fakti që Kuvendi mbetet i pakonstituuar pas skadimit të afatit kushtetues më 7 gusht”, tha zëdhënësi i Zyrës së BE-së, Nikola Gaon për rtv21.
Sipas BE-së, vonesat në formimin e institucioneve mund të ndikojnë në zbatimin e reformave të rëndësishme dhe në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

