Anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë shkarkuar sot Kryeprokurorin e Shtetit në detyrë, Besim Kelmendi, gjatë një mbledhjeje të mbajtur paraditen e sotme.
Për këtë vendim ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila tha se veprimi i sotëm pengon reformën e nevojshme në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit në detyrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e vazhdueshme dhe të nevojshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”, tha Zyra e BE-së.
Sipas BE-së, shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit “minon progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.
Vendimin e ka kritikuar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili e ka cilësuar atë si “paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”, duke shtuar se një pjesë e anëtarëve të KPK-së kanë vepruar në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.
