Bashkimi Evropian i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe atij të Shqipërisë, Edi Ramës, në lidhje me reagimet e tyre për dënimin ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kreu i qeverisë kosovare e cilësoi vendimin si padrejtësi, ndërsa Rama si “marre”.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, tha se Dhomat e Specializuara japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura.
“Shikoni, ajo që mund të them për këtë çështje është se Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale. Personat e dënuar, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një trup gjykues të veçantë të shkallës së apelit. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, tha Wigand, raporton KosovaPress.
Po ashtu, ai u shpreh se mbetet thelbësore të promovohet një mjedis i lirë nga frika dhe hakmarrjet si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët.


