Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, vendet e QUINT-it dhe EULEX-i i kanë dërguar një letër institucioneve të Kosovës, në të cilën kërkojnë miratimin e legjislacionit sekondar për të qartësuar zbatimin e kornizës ligjore lidhur me përdorimin e simboleve dhe flamujve të komuniteteve.
Letra, e datës 17 qershor 2026, për të cilën raporton KosovaPress, i është adresuar ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa i është përcjellë edhe drejtorit të policisë së Kosovës dhe të gjithë kryetarëve të komunave.
Dokumenti është nënshkruar nga ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ambasadori i Francës Olivier Guerot, ambasadori i Gjermanisë Rainer Rudolph, ambasadori i Italisë Maurizio Antonini, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Hargreaves, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së Anu Prattipati, si dhe shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.
Në letër thuhet se Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës mbrojnë të drejtën e të gjitha komuniteteve për të ruajtur, shprehur dhe zhvilluar identitetin e tyre, përfshirë përmes përdorimit dhe shfaqjes së simboleve të komuniteteve.
Sipas nënshkruesve, përdorimi i simboleve, përfshirë flamujt kombëtarë ose të komuniteteve, është një e drejtë e mbrojtur me Kushtetutë dhe autoritetet e Kosovës kanë detyrimin jo vetëm të mos ndërhyjnë në ushtrimin e kësaj të drejte, por edhe të krijojnë kushtet për zbatimin e saj të barabartë.
