Serbia përballet të dielën, më 25 tetor, me një nga garat më të rëndësishme parlamentare të viteve të fundit.
Lëvizja studentore, e cila ka udhëhequr protesta masive kundër pushtetit, po sfidon Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, e cila qeveris vendin që nga viti 2012.
BBC raporton se zgjedhjet e parakohshme parlamentare po shihen si një provë e rëndësishme për të ardhmen politike të Serbisë, ndërsa pakënaqësitë qytetare dhe shqetësimet për integritetin e procesit zgjedhor kanë shënuar fushatën.
Sfida kryesore ndaj partisë në pushtet vjen nga lista zgjedhore e mbështetur nga studentët, e njohur si “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, e cila ka arritur të mobilizojë qytetarë të pakënaqur me qeverisjen aktuale.
Sipas BBC-së, një nga figurat kryesore të kësaj liste është kardiologu dhe profesori universitar Ilija Srdanoviq, i cili është përzgjedhur si kandidati i parë i lëvizjes.
“Është krejtësisht normale të qëndroj përkrah studentëve të mi dhe t’i ndihmoj në luftën e tyre të drejtë”, ka deklaruar Srdanoviq për BBC-në.
Ndryshe nga partitë tradicionale, lëvizja studentore nuk ka një udhëheqës të vetëm.
Lista e saj përfshin akademikë, mjekë, sportistë, ekonomistë, inxhinierë dhe përfaqësues të profesioneve të ndryshme, pa përvojë të mëparshme politike.
Lëvizja është zhvilluar pas protestave që shpërthyen në nëntor të vitit 2024, kur shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit shkaktoi vdekjen e 16 personave.
Tragjedia nxiti kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe hetimin e dyshimeve për korrupsion.
Protestat u shndërruan gradualisht në një lëvizje më të gjerë kundër pushtetit, transmeton Telegrafi.
Helena Ivanov, nga instituti kërkimor Henry Jackson Society, ka vlerësuar për BBC-në se studentët kanë arritur të mobilizojnë qytetarët në një mënyrë që opozita tradicionale nuk e kishte arritur më parë.

