Prokuroria Themelore në Prizren, është deklaruar rreth aksionit të zhvilluar të mërkurën ku u bastisën gjashtë biznese dhe tri shtëpi banimi, janë gjetur dhe sekuestruar ari e argjend i padeklaruar, si dhe një armë pa leje, duke bërë të ditur se operacioni është kryer në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Prokuroria thekson se kontrolle janë kryer në gjashtë lokale afariste në qytetin e Prizrenit, si dhe në tri shtëpi banimi, gjatë kontrolleve janë siguruar dëshmi materiale dhe është hasur sasi e konsiderueshme e arit dhe argjendit të padeklaruar, dhe është iniciuar rast ndaj katër personave për veprat penale “Shmangia nga tatimi”, dhe, “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
‘’ Nga kontrollet e realizuara janë sekuestruar gjithsej: – 3.775,33 gram ari i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 455.000 euro; – 4.204,98 gram argjend i padeklaruar, në vlerë të përafërt prej rreth 8.900 euro’’, thuhet mes tjerash në njoftim.
Komunikata:
Sekuestrohen rreth 8 kg ari dhe argjend në Prizren, vlera mbi 460.000 euro
Prizren, 21 Maj 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, si dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar veprime hetimore lidhur me dyshimet se disa biznese për shitjen e arit në qytetin e Prizrenit janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore lidhur me tregtimin e arit dhe argjendit.
