Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në një lokal-kafiteri në Prizren, ku gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me municion.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar më 17 qershor 2026, rreth orës 20:40, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prizren, me asistimin e njësive të tjera policore nga Stacioni Policor në Prizren.
Kontrolli është kryer në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, pas dyshimeve se pronarët e lokalit, dy vëllezër, mund të jenë të përfshirë në shpërndarje të substancave narkotike dhe posedim të armëve.
Gjatë bastisjes në lokal ishte i pranishëm njëri nga të dyshuarit, D.P., 29 vjeç. Në kontrollin e zhvilluar, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të markës “SIG” së bashku me nëntë fishekë.
