Në 36-vjetorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bënë sot homazhe në nderim të tyre.
Kurti tha se më 2 nëntor 1989, Zhitia dhe Fazliu ranë heroikisht pas një beteje gjashtëorëshe me forcat jugosllave, duke zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe dëshmuar se populli i Kosovës nuk do të nënshtrohej.
Ai theksoi se jeta dhe vepra e tyre duhet të studiohen më shumë nga historianët.
“Para 36 vitesh heroikisht në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat e Jugosllavisë ranë Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, që të dy ishin shumë të rinj, Fahriu ishte 26 vjeç ndërsa Afrimi 24. Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen e popullit dhe sensibilizoi opinionin publik se në Kosovë ka një popull që nuk nënshtrohet dhe do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij. Më 2 nëntor 1989 Fahriu dhe Afrimi luftuan më shumë se gjashtë orë dhe kjo tregon se çfarë heronj të etur kanë qenë ata. Ata i paraprinë heronjve dhe dëshmorëve që vijnë pas tyre. Ka nevojë që jeta, vepra, rënia dhe konteksti politik i rënies heroike të studiohen edhe më shumë nga historianët dhe shkencëtarët, sepse liria e brezave të ardhshëm varet nga sa më mirë e përvetësojnë jetën dhe veprën e tyre që bënë gjithçka për lirinë e vendit”, ka deklaruar Kurti.
