Komandanti i forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se autoritetet serbe janë plotësisht të vetëdijshme për “vijat e kuqe” që nuk duhet të kapërcehen në raport me sigurinë në Kosovë. Sipas tij, këto janë të përcaktuara qartë në marrëveshjet ndërkombëtare dhe KFOR është i përgatitur të reagojë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
Në një deklaratë të dhënë gjatë një interviste ne RTV 21, gjenerali italian ka sqaruar se “vijat e kuqe” bazohen në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në Marrëveshjen Teknike Ushtarake të nënshkruar mes NATO-s dhe Serbisë më 1999.
“Po, Beogradi i njeh vijat e kuqe. Ato janë të shkruara qartë në marrëveshjet që na udhëheqin. KFOR-i mbetet i përqendruar në misionin për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë”, theksoi Barduani.
Ai shtoi se forcat e KFOR-it janë të pranishme në terren dhe të gatshme të ndërhyjnë nëse paraqiten zhvillime serioze në fushën e sigurisë.
