Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për refuzimin e projektit të gazit amerikan, të mbështetur nga MCC me mbi 200 milionë dollarë.
Ajo ka thënë se, pas refuzimit të këtij projekti dhe mungesës së kapaciteteve të reja gjeneruese, Kosova ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike.
Bajrami ka deklaruar se refuzimi i projekteve të prodhimit të energjisë e rrit varësinë nga importi.
Ajo ka kërkuar publikimin e analizave dhe marrëveshjeve për planet energjetike, përfshirë bashkëpunimin me Shqipërinë. Sipas saj, vendimet për sektorin e energjisë duhet të merren me transparencë dhe në bazë të analizave.
Reagimi:
Politikë energjetike apo politikë e varësisë nga importi?
Para se të vinte në pushtet, Albin Kurti thoshte se me LVV-në në qeveri nuk ka ContourGlobal. Erdhi në pushtet dhe këtë premtim e mbajti.
Më pas e ktheu prapa edhe projektin e gazit amerikan, të mbështetur me mbi 200 milionë dollarë nga MCC, projekt për të cilin kishte vendosur Qeveria Hoti. Arsyetimi ishte: nuk duam gaz, duam bateri.
Sot, pas gjashtë vitesh, nuk kemi as ContourGlobal, rrjedhimisht as termocentral të ri, as gaz amerikan, bateritë ende s’kanë ardhë, nuk ka kapacitet të reja gjeneruese, POR, kemi rreth 1 miliard euro energji elektrike të importuar.
Pra, kur i refuzon projektet e gjenerimit, mbetesh i varur nga importi. Kaq e thjeshtë është.
Tash po na thonë se nuk na duhet infrastruktura e gazit, sepse mund të marrim energji nga jashtë. Por Kosova nuk duhet të llogarisë në energjinë që e prodhojnë të tjerët. Kosova ka nevojë me prodhu energji vetë, me ndërtu kapacitete të reja dhe me e ulë varësinë prej importit e tregtarëve të energjisë.
