Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sektorët kryesorë të ekonomisë, duke thënë se rregullatorët shtetërorë nuk kanë arritur të ndalin rritjen e çmimeve në vend.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Bajrami përmendi rritjet e vazhdueshme të tarifave në energji elektrike, ujë dhe barna, duke e cilësuar situatën si alarmante për qytetarët.
“A e dini se çfarë ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike gjatë mandatit të LVV-së? Edhe pse kemi Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, tri herë është rritur çmimi i energjisë. Do të thotë kemi rregullator, por kemi lejuar ngritje të çmimeve”, u shpreh ajo.
Sipas saj, rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe tarifat e ujit, të cilat, siç tha ajo, janë rritur deri në 40 për qind, pavarësisht ekzistencës së rregullatorit përkatës.
Bajrami theksoi gjithashtu se rritje çmimesh ka pasur edhe në sektorin e barnave, duke kërkuar nga Qeveria të paraqesë evidenca për ulje të çmimeve, të cilat, sipas saj, nuk po vërehen në praktikë.
