Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar në RTK Prime se zgjedhja e presidentes së vendit ka ndihmuar në stabilizimin e institucioneve të Kosovës, pas një periudhe të gjatë të krizës politike.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci, ka vlerësuar se zgjedhja e presidentes së Kosovës, Justina Pula, ka ndihmuar në tejkalimin e krizës politike dhe stabilizimin e institucioneve të vendit.
Duke folur në emisionin RTK Prime, Bajqinovci e cilësoi marrëveshjen ndërmjet pozitës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentes si një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të institucioneve.
“Fatmirësisht, në para disa ditëve, në një seancë maratonike, në orët e fundit është zgjedhur presidente e vendit, profesoresha Justina Pula. Mendoj që Kosova arriti të stabilizojë institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast pozitë dhe opozitë ranë dakord që ta kemi një president konsensual”, tha Bajqinovci.
Ai vlerësoi pozitivisht fillimin e punës së legjislaturës së re, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë hapësirë e debatit, kritikave dhe kundërshtimeve, ku vendimet merren në interes të qytetarëve dhe vendit.
“Kuvendi i Kosovës është arenë ku japin mendime, kundërshtime, kritika dhe votohen ligjet për të mirën e vendit. Unë jam shumë i gëzuar dhe u jam mirënjohës secilit që ka kontribuar në këtë për ta zgjedhur presidenten e vendit”, deklaroi ai.




