Teksa rritja sezonale e manganit në liqenin e Badocit vazhdon të ndikojë në cilësinë e ujit të pijshëm, në vëmendje rikthehet projekti i vjetër për furnizim alternativ përmes kanalit të Ibër-Lepencit. Por ekspertët paralajmërojnë se infrastruktura përcjellëse ka pësuar dëmtime dhe kërkon investime për t’u funksionalizuar.
Liqeni i Badocit, burim i rëndësishëm për furnizimin me ujë të pijshëm për Prishtinën, po përballet periodikisht me rritje të përqendrimit të manganit, pikërisht ku marrja e ujit bëhet nga fundi i liqenit.
Ndryshe nga Batllava, Badoci nuk ka sistem marrjeje në disa nivele. Një alternativë e hershme për raste emergjente është furnizimi përmes kanalit të Ibër-Lepencit, një sistem hidroteknik që transporton ujë nga liqeni i Ujmanit drejt disa rajoneve të Kosovës.
Ky projekt ishte menduar si rezervë për periudha thatësie, por nuk është përdorur shpesh. Tentativa e fundit për aktivizim ishte gjatë thatësirës së vitit 2012. Megjithatë, gjatë asaj kohe u konstatuan probleme serioze teknike në infrastrukturë, përfshirë dëmtime dhe korrozion në gypa, çka kërkoi ndërhyrje.
“Paraqitet si nevojë e vet shtetit për të funksionalizuar një pjesë të kanalit, e cila ka qenë në fillim e ndërtuar, por pas vitit 1999 nuk është përdorë asnjëherë, ajo pjesë nga toka bujqësore është shndërruar në tokë ndërtimore, po flasim për pjesën e Çagllavicës dhe këto lagjet tjera Dardha, Qershia etj. Ai kanal faktikisht ekziston si formë, me sa e di është edhe në program qeveritar të rifunksionalizohet pra të rindërtohet në mënyrë që kanali i Ibër Lepencit të furnizojë edhe Badocin në rast nevoje, faktikisht edhe ujësjellësin e Badocit, por edhe kur e ka problemin me mangan. Kjo është me rëndësi për nivelin kombëtar”, tha Faruk Mujka, kryeshef në Ibër Lepenc.
