Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, padi për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Së bashku me padinë, AVONET ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të Qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.
Siç thuhet në komunikatën për media, ky propozim është ngritur në bazë të nenit 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës.
Në padinë e dorëzuar, AVONET thekson se Qeveria në detyrë me rastin e miratimit të vednimit në fjalë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratoj projektligje.
