Avokati Musa Damati pret aktgjykim lirues ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Damati, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se në raste voluminoze dhe procese maratonike, siç është procesi gjyqësor në Hagë, trupat gjykues zakonisht kanë nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të lëndëve.
Sipas tij, kompleksiteti i dosjeve dhe vëllimi i madh i materialeve gjyqësore ndikojnë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e shpalljes së aktgjykimit.
Megjithatë, Damati shprehet optimist për rezultatin final.
“Unë si avokat pres që të shpallet një aktgjykim lirues për të gjithë ata që janë ballafaquar tash e sa vite, që nga tetori i vitit 2020, me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë,” ka deklaruar ai.
Damati shton se nuk ekziston një afat strikt për shpalljen e vendimit, pasi ky afat varion dhe varet nga efikasiteti dhe axhornimi i trupit gjykues.
Ai ka sqaruar se vendimi i gjykatës përbën vendim përfundimtar vetëm në shkallën e parë të shqyrtimit.
