Avokati i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, Rodney Dixon, në një intervistë ekskluzive me gazetarin dhe autorin e emisionit Rubikon, Adriatik Kelmendi, pas aktgjykimit të sotëm në Gjykatën Speciale, ka thënë se ekipi mbrojtës do të përgatiten për të apeluar aktgjykimin e sotëm.
Dixon tha se Gjykata Speciale, në aktgjykimin e sotëm, ka dhënë vetëm dënime. Sipas tij, ekipi i tij mbrojtës është shokuar nga verdikti dënues.
“Gjykata këtu për Kosovën ishin vetëm dënime, përfshirë edhe të klientit tim, Kadri Veselit, u shpallën fajtorë dhe u dënuan. Ekipi mbrojtës, në emër të tij, me të vërtetë janë të shokuar nga kjo shpallje fajësie dhe dënimi. Kemi kaluar gjashtë vjetët e fundit duke theksuar që nuk ka dëshmi për të dëshmuar përfshirjen e tij në çfarëdo vrasje a kidnapim… po e shohim etapën e radhës të apelimit të fuqishëm të vendimeve”.
“Do të na duhet ta shohim me shumë kujdes aktgjykimin e gjatë. Ajo që na habiti në përmbledhje është se gjykata konstatoi se kishte dëshmi për keqbërje nga ana e klientit tim, por ne gjatë procedurës kemi theksuar mungesën e çfarëdo lloj prove në të cilën do të mund të mbështetej, dhe këtë do ta shikoj me shumë hollësi për të ndjekur linjën e ankesës”, deklaroi avokati Dixon.
Duke qenë se Veseli nuk ka qenë asnjëherë komandant terreni, siç kanë qenë komandantët tjerë e që janë gjykuar në Kosovë apo në gjykatën për ish-Jugosllavi, ai u pyet se si e sheh rolin e Veselit gjatë luftës.
“Tani nuk do të futem në hollësitë e provave të sakta dhe pozitës së tij të saktë, dhe si do t’i parashtrojmë këto në apelim. Do të na duhet ta konsiderojmë aktgjykimin si tërësi, por me siguri se do t’i apelojmë në mënyrë të fuqishme gjetjet që janë bërë”, u shpreh më tej ai.
Ai tha se do të apelojnë edhe shpalljen e tij fajtor, e më pas edhe atë të dënimit.
Sipas tij, janë të caktuara afatet kohore të procesit të apelit, por shtoi se do t’i shikojnë të njëjtat dhe do t’i ndjekin të gjitha procedurat e nevojshme për të apeluar.




