Avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka reaguar për herë të parë pas aktgjykimit dënues ndaj klientit të tij në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Mishetiq ka bërë të ditur se mbrojtja e Thaçit do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).
Sipas tij, mbrojtja pretendon se gjatë procesit gjyqësor janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit.
“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që, sipas saj, nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë”, ka shkruar Mishetiq.
Ai ka thënë se mbrojtja vazhdon të qëndrojë në qëndrimin se ndërhyrjet e Trupit Gjykues kanë tejkaluar, sipas saj, kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës dhe kanë cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Sipas Mbrojtjes, kjo mungesë paanshmërie tashmë është reflektuar në Aktgjykimin e Trupit Gjykues”, ka deklaruar avokati.
Mishetiq ka pretenduar gjithashtu se gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova që, sipas mbrojtjes, janë të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.




