Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur procedurat hetimore për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahut, në Lipjan të hënën.
Zejnullahu vdiq në orët e para të së hënës, pak pasi u arrestua nga policia, për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë. Familja e tij ka thënë se Zejnullahu vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia gjatë arrestimit. Për rastin është rekomanduar suspendimi i pesë zyrtarëve policorë, të cilët janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën “vrasje nga pakujdesia”.
Avokati i Popullit ka thënë se ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.